PUBLIKIME

1. ÇAMËRIA

Vendi, popullsia dhe jeta ekonomike (Selman Sheme) Monografia “Çamëria-vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” i kushtohet njërës prej krahinave shqiptare të aneksuara padrejtësisht nga trungu etnik. Në kujtesën e shqiptarëve, populli i Çamërisë, ashtu si edhe ai i Kosovës dhe i trevave të tjera shqpiptare përtej kufirit të sotëm të Republikës së Shqipërisë, është mishërimi i sakrificave të pafundme për mbrojtjen e territorit, të identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës, zakoneve dhe dokeve, çdo gjëje të krijuar e të trashëguar brez pas brezi. Kjo monografi gjeografike, e para e këtij lloji për Çamërinë, synon të japë një tablo të plotë të kësaj treve të njohur pak deri tani nga lexuesi shqiptar. Me dëshirën për të realizuar një studim të mirëfilltë rajonal, autori është kujdesur për ndërtimin e një strukture të tillë të punimit, ku ndërthuren natyrshëm problemet natyroro-mjedisore me ato gjeohistorike, etnokulturore, demosociale dhe ekonomike. Kjo është një zgjidhje shkencërisht e bazuar, pasi Çamëria krahina më jugore e trevave shqiptare, përbën një rajon gjeografik me karakteristika që e dallojnë qartë nga rajonet përreth.

2. NEKTAR I SHPIRTIT SHQIPTAR

Antologji poetike për Çamërinë Në këtë libër janë paraqitur autorët nga të gjitha trevat shqiptare dhe diasporë. Lexuesi do të ketë në duar një repertor të mjaftueshëm poetësh që nga humanizmi europian ku shqiptarët u përfshinë dukshëm (Maksim Artioti etj.) deri tek romantizmi (nga Hasan Tahsini e Abedin Dino tek Jeronim de Rada e Naim Frashëri), neoklasicizmi (Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Ethem Haxhiademi deri tek Zef Skiroi), poetët pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë avangardistët e disidentët (Bilal Xhaferri etj.), pa përmendur më të rinjtë, përfaqësues të korenteve poetike aktuale nga më të ndryshmet si modernist e postmodernistë etj. Nuk ka mbetur në harresë edhe një numër i kufizuar krijuesish me frymëzim popullor me tematikë të re dhe stil të spikatur. Duke paraqitur autorët tanë nga të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë, e kemi quajtur të arsyeshme të përfshijmë në këtë koleksion të gjitha rrymat dhe lëvizjet kombëtare aq sa ishte e mundur në një vëllim të tillë.

3. ASPEKTET JURIDIKE TË ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES ÇAME

Ky punim ofron një analizë të përgjithshme mbi mjetet juridike dhe platformat e mundshme që mund të ndiqen për zgjidhjen ligjore të çështjes çame. Mendimet e parashtruara janë bazuar në njohuritë e përgjithshme mbi të drejtën ndërkombëtare, për të vlerësuar se si kjo e drejtë mund të aplikohet në rastet e dëbimit, vrasjet, shpronësimit, heqjes së shtetësisë së popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë, të shpërngulur me forcë nga Greqia në periudhën kohore, prej vitit 1915 deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Çdo mendim ligjor i specializuar, mbi të gjitha, do të kërkonte një studim të mirfilltë dhe të detajuar të kësaj çështjeje. Në këtë punim ofrohen dy aspekte, përkatësisht: Një përmbledhje e kuadrit historik dhe juridik rreth asaj që ka ndodhur me të drejtat civile, politike, ekonomike dhe social-kulturore të popullsisë çame në periudhën 1915-1950 e deri më sot. Një analizë e çështjeve të natyrës ligjore dhe proçeduriale si edhe të forumeve të mundshme juridike ku mund të shtrohet çështja çame.

4. ÇËSHTJA ÇAME DHE INTEGRIMI EVROPIAN Ky libër përmban një përmbledhje kumtesash që janë mbajtur në konferencën shkencore “Çështja Çame dhe integrimi Evropian”. Kjo konferencë organizuar nga ISÇ në bashkpunim me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe Muzeun Kombëtar, i zhvilloi punimet më 26 qershor të vitit 2004 për të përkujtuar 60 vjetorin e genocidit të shovinizmit grek mbi popullsinë muslimane shqiptare, që e detyroi atë të largohet nga trojet e saj të stërlashta. Në këtë libër, janë marrë kumtesat e disa personaliteteve të njohur si: historiani Hajredin Isufi, shkrimtari Sabri Godo, prof.as.dr Selman Sheme , prof. Fatmira Rama etj.

5. ABEDIN DINO DHE ÇËSHTJA ÇAME

Me rastin e 165 vjetorit të lindjes së personalitetit të shquar Abedin Dino, ISC në bashkëpunim me “Shoqatën Çamëria” dhe Institutin e Historisë së Qëndrës së studimeve Albanologjike, organizuan simpoziumin ndërkombëtar “Abedin Dino dhe Çështja Çame sot”. Në këtë aktivitet të mirfilltë shkencor u ftuan dhe morën pjesë studiues dhe specialistë nga më të njohurit, shqiptar dhe të huaj. Objektivi i simpoziumit ishte sjellja e një kontributi për zgjidhjen e problemit çam në kushtet e integrimeve rajonale, si edhe diskutimi për mënyrat e zgjidhjes së këtij problemi duke bërë një retrospektivë nga koha e lindjes së tij deri sot.

6. ÇËSHTJA ÇAME NË KËRKIM TË NJË ZGJIDHJEJE

Kontributet shkencore të konferencës për Çamërinë që u mbajt në Dhjetor të vitit 2006, të cilat botohen në këtë vëllim, janë një hap tjetër i mëtejshëm në studimin e shumëanshëm të problemit çam. Është trajtuar historia, kultura e popullsisë çame si elemente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e historike të kombit shqiptar dhe gjithashtu, janë dhënë sugjerime mbi rrugët dhe prespektivën evropiane të zgjidhjes së problemit çam. Ato e kanë trajtuar çështjen çame në raport me ligjin ndërkombëtar dhe në raport me politikat, tendencën dhe filozofinë e integrimit europuan të rajonit.

7. THE CHAM ALBANIANS OF GREECE

Libri dokumentar më i rëndësishëm që është botuar deri më tani mbi Çamërinë, nga dy autor shumë të njohur Robert Elsie dhe Bejtullah Destani. Libri, i cili është botuar në një nga shtëpitë botuese më të njohura britanike, bazohet në arkivat më të pasura me dokumenta domethënëse mbi Çamërinë, ato të Lidhjes së Kombeve dhe Misioneve Britanike dhe mbulojnë një nga periudhat më tragjike të historisë së saj. Dokumentet e mbledhura së bashku në këtë libër përmbajne dokumente nga misionet e tjera diplomatike midis viteve 1913 dhe 1960. Së bashku, ata adresojnë të gjitha periudhat e dëbimit me dhunë të popullsisë çame nga Greqia. Publikimi i këtyre dokumenteve përbën një kontribut historik të pashembullt të historisë së Çamërisë.

RRETH NESH

Instituti i Studimeve për Çamërinë (ISÇ) është një organ jo-fitimprurës. U themelua në maj të vitit 2004 në Tiranë, me iniciativën e një grupi prej 17 intelektualësh të fushave të ndryshme, si të shkencave politike, juridike, historike, sociologjike, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj. ISÇ është regjistruar dhe funksionon në bazë të statutit dhe rregullores së vet, në harmoni me ligjet e shtetit shqiptar dhe të drejtës ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes çame, e mbetur peng nga historia, me mjete dhe rrugë demokratike, veç të tjerash kërkon organizimin e studimeve rigoroze shkencore. Të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e këtyre studimeve, u themelua Instituti i Studimeve për Çamërinë, qëllimi i të cilit është: • T’u japë një shtysë të re dhe të fuqishme studimeve në fushën e historisë dhe kulturës së komunitetit çam, si pjesë e rëndësishme e kulturës së popullit shqiptar, duke përcjellë mesazhe të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit midis popujve të Ballkanit. • Të ushtrojë veprimtari studimore të mirëfillta akademike në fushën e historisë, etnografisë, sociologjisë, të drejtës ndërkombëtare, gjeopolitikës, gjeografisë, demografisë etj. për popullsinë çame. • Të zhvillojë një veprimtari aktive në nxitjen e debatit shkencor publik përpunimin e opinioneve dhe rekomandimeve për problemin e Çamërisë. • Të kryejë studimet e nevojshme akademike me tematikë në fushat e sipërme. • Të organizojë aktivitete shkencore si simpoziume, konferenca, seminare shkencore, debate publike dhe tavolina të rrumbullakëta mbi çështje të përgjithshme dhe specifike të komunitetit çam. • Të përhapë informacion shkencor dhe t’i botojë rezultet e veprimtarisë së saj studimore. • Të publikojë dhe të studiojë materiale dokumentare që disponojnë arkivat brenda dhe jashtë vendit për probleme të historisë dhe kulturës çame.